Takimi i mbrëmshëm i ministrave të jashtëm të Maqedonisë e Greqisë me ndërmjetësuesin e OKB-së, Nimic shënon fillimin e vërtetë të negociatave, kështu deklaroi kryeministri Zoran Zaev. Pa dashur të zbulojë detaje që sipas tij mund ta dëmtonin procesin negociues, Zaev megjithatë përmendi se thelbi i negociatave qëndron tek ndryshimi ose jo i kushtetutës.

 Gjithsesi pozitat esenciale janë shumë të rëndësishme, emri, Kushtetuta nëse do të ndryshojë ose jo, gjuha dhe çështje të tjera që përmenden. Gjithsesi ajo është esenca e gjithë procesit negociues dhe mundësisë së gjetjes së zgjidhjes. Besoj se dy palët do të jemi pragmatik. Dinjiteti është shumë i rëndësishëm, identiteti është shumë i rëndësishme. Nga këtu, përafërsisht, tregojmë gjithçka – tha kryeministri Zoran Zaev.

Sa i përket emrit ai konfirmoi atë që përflitej tashmë një kohë në opinion se në tavolinë kanë mbetur katër emra me përcaktim gjeografik. Ai nuk saktësoi emrat por tashmë jo zyrtairsht bëhet e dituar se zgjidhja mund të kërkohet mes emrave si Maqedonia e Epërme, Maqedonia Veriore, Maqedonia e Vardarit dhe Maqedonia (Shkupi).

Nëse nisemi nga 7 pozicione që ishin pika fillestare të negociatave, e di vetëm se ajo është zvogëluar në 4 pozicione, 3 janë refuzuar. Për ne është i pranueshëm emër me përcaktues gjeografik, respektivisht i refuzojmë të gjitha të tjerat që ishin me përcaktues kohor ose përcaktues të tjerë, që vijnë me propozime – theksoi Zaevi.

Kryeministri gjithashtu konfirmoi se nesër ministri i jashtëm, Dimitrov do ta takojë homologun e tij grek, Kocijas në Sofje në kuadër të takimit me homologët e shteteve anëtare të BE-së dhe atyre kandidate, por se nuk do të negociojnë sërish. Zaev tha se nesër në fakt dy ministrat do ta caktojnë raundin e ri të negociatave.

Nga ana tjetër, në fqinjin jugor dhjetëra protestues kërkuan dorëheqjen e të parit të Selanikut, Janis Butaris. Ata para bashkisë së qytetit shprehën revoltën ndaj deklaratave të Butarisit për rishqyrtimin e emrit të aeroportit të Selanikut dhe stacionit të autobusëve, “Maqedonia”.

Anesa Salihu 

Shpërndaj me