Banka Botërore i uli parashikimet për rritjen e ekonomisë së Maqedonisë. Për vitin 2016, në vend të 3.7% fillestare, rritja u ul në 2% apo 1.7 pikë procentuale më pak se projektimet e qershorit. Për këtë vit Banka Botërore parashikon rritje ekonomike prej 3.3% ose 0.7 pikë procentuale më pak sesa parashikimet në qershor. Një pjesë e ekonomistëve thonë se parashikimet janë të pritshme dhe se rritja e këtillë ekonomike nuk lejon që Qeveria të marrë borxhe si deri më tani dhe të rritet borxhi publik.

  Kjo tregon se ne nuk kemi industri dhe nuk kemi bazë, kjo do të thotë se kjo Qeveri që ishte në Maqedoni tashmë 10 vite nuk e mbështet industrinë. Askush nuk e di qëllimin e parave që merren borxh. Ato nuk janë as për thyerjen e borxheve të vjetra. Askush nuk na tregon përse na fusin në borxh kur nuk kemi. Kreditë më të këqija dhe më të rrezikshme janë kreditë pa ndonjë qëllim – tha Zoran Vitanov, kryetar i Asociacionit të Menaxherëve.

Ministria e Financave në kreditorët vendorë mori borxh të ri prej 31.7 milionë euro apo thuajse 16 milionë më shumë sesa shuma që duhet të kthehet si borxh. Për ekonomistët është e palogjikshme që Qeveria teknike të marrë borxhe.

  Unë personalisht apeloj deri te ministri i Financave, të mos luajë me zjarr pasi në fund, ai pa kurrfarë faji, ai nuk ka kontribuar në shkatërrimin e ekonomisë, por si duket në fund ai dëshiron ekonomisë t’i vejë dry. Ai nuk guxon ta bëjë këtë, le të presë pak, le të presë të vijë ndonjë Qeveri legjitime – theksoi Zoran Vitanov.

Për transparencën në marrjen e borxheve u përplasën dy partitë më të mëdha VMRO dhe LSDM. Partia e Zoran Zaevit akuzoi se qytetarët nuk e dinë përse ministri Minovski ata i futi në borxh prej 30 milionë eurove dhe ku do të shkojnë këto para. VMRO-DPMNE-ja u përgjigj se qytetarët kanë kontroll të plotë në shpenzimin e parave të tyre dhe thuajse gjysma e borxhit të tanishëm është bërë në kohën e LSDM-së. Sipas të dhënave, borxhi i përgjithshëm publik është 4.76 miliardë euro apo 50.6% nga Prodhimi Bruto Vendor. Kjo do të thotë se çdo qytetarë, në kohën e VMRO-DPMNE-së ka borxh prej 2380 euro.

Sonja Jankovska

Shpërndaj me