Prokuroria, e ndihmuar nga partnerët ndërkombëtarë, duhet të hetojë pastrimin e parave dhe krimin e lidhur me të”, deklaroi sot kreu i PD, Lulzim Basha.

Në replikë me deklaratën e kryeministrit Rama, i cili i konsideroi si qesharake akuzat e Bashës se projekti “1 miliard për ndërtim” është pastrim i parave të drogës, kreu i PD thotë se “është koha të shqetësohemi dhe t’i themi ndal Edi Ramës dhe krimit në politikë dhe në ekonomi”.

“Depërtimi i krimit në ekonomi duhet ndalur tani. Projekti 1 miliard euro duhet ndalur tani. Çdo koncesion, çdo investim që përfshin qeverinë duhet të bëhet transparent në çdo detaj. Prokuroria e ndihmuar nga partnerët ndërkombëtarë duhet të hetojë pastrimin e parave dhe krimin e lidhur me të”, tha Basha nga selia e PD.

Basha theksoi se, në mars 2017, Departamenti Amerikan i Shtetit e vendosi Shqipërinë në listën e zezë të vendeve kryesore të pastrimit të parave në botë, e quajtur zyrtarisht Lista e Vendeve Kryesore të Pastrimit të Parave.

“Është hera e parë që Shqipëria është përfshirë në këtë listë që përditësohet çdo vit. E gjeni në faqen 8 të raportit për Strategjinë e Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve që Departamenti i Shtetit i dërgoi zyrtarisht Kongresit Amerikan”, u shpreh ai.

Shpërndaj me