Nesër në Sarajevë do të bisedohet se me cilat para do të ndërtohet autostrada Shkup- Bllacë. Këtë për Alsat M e konfirmuan burime nga Qeveria. Në lojë janë Banka Investuese Evropiane dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Se në mënyrë të përshpejtuar përgatitet terreni për lidhje përmes autostradës të Maqedonisë dhe Kosovës konfirmoi edhe njeriu i parë i ndërmarrjes publike për rrugë Zoran Kitanov. Ai shprehet se fillimisht do të bëhet rehabilitimi i rrugës ekzistuese, pas çka do të vijojë ndërtimi i autostradës. Rruga e vjetër do të mbetet si ndihmëse nëpër të cilën lirisht do të mund të vozitet me makineri bujqësore ose ata që duan t’i shmangen taksave rrugore. Kitanov shprehet se rehabilitimi duhet të përfundojë deri në fund të vitit të ardhshëm. Për këtë planifikohen rreth 4 milionë euro. Paralelisht me rehabilitimin do të rrjedhin edhe procedurat për autostradën.

Në bashkëpunim me institucionet evropiane është përpiluar një studim fizibiliti. Është i gatshëm projekti ideor, studimi për ndikimin në mjedisin jetësorë si dhe një pjesë e analizave gjeoteknike. Procedura për ndërtimin e autostradës ka filluar – tha Zoran Kitanov, drejtor i ndërmarrjes publike për rrugë shtetërore.

Projektimi i kësaj autostrade pritet të jetë gati deri në muajin mars, pas çka duhet të vijojë shpallja e tenderit për ndërtim. Për momentin është herët të thuhet se sa para do të duhen për këtë aks rrugor. Bëhet fjalë për 12,5 kilometra. Nga pala kosovare autostrada pritet të lëshohet në përdorim nga fundi i vitit të ardhshëm. Ndryshe, Kosova është partneri më i madh tregtar i Maqedonisë dhe momentalisht përmes këtij aksi brenda ditës kalojnë mbi 5000 automjete.

Verica Pavllovska

Shpërndaj me