Edhe ish drejtori i ELEM-it, Kristian Mickoski edhe drejtori aktual Dragan Minovski kanë nënshkruar vendimet me të cilat ndërmarrja e zv/ kryeministrit Koço Angjushev, “Feroinvest” dy herë me radhë ka fituar një pjesë të tenderit për furnizimin e shiritave të gomës. Alsat M arriti deri tek këto dy vendime, i pari është miratuar më 10 korrik, i dyti më 15 gusht. Në të dyja datat Angjushevi tashmë ishte ulur në kolltukun e zv/kryeministrit. Në të dyja ankandet “Feroinvesti” është zgjedhur ofruesi më i volitshëm për tre paragrafët e njëjtë nga gjithsej pesë. Pasi që janë anuluar të dyja, do të ketë edhe ankand të tretë i cili, siç mëson Alsat M me siguri do të mbahet të premten. Nga menaxhmenti i “Feroinvest” sqarojnë se dokumentacionin e tenderimit e kanë dorëzuar më 13 prill, më shumë se një muaj e gjysmë para zgjedhjes së qeverisë së re. Ata janë kategorik se do të marrin pjesë edhe në ankandin e tretë, madje edhe nëse Angjushevi kërkon prej tyre që të tërhiqen nga tenderi në kompaninë shtetërore.

Feroinvesti jo vetëm tani por edhe në të ardhmen do të marrë pjesë në të gjitha tenderët ku ka interesin e saj afarist dhe ku mund të realizojë përfitimin e saj afarist, meqë në grupin Feroinvest janë punësuar 800 njerëz. I njëjti ka lidhur marrëveshje jo vetëm në vend por pjesën më të madhe jashtë vendit dhe të njëjtat duhet doemos të respektohen deri në fund. Prandaj, çdo aluzion të strukturës bashkëpunëtore dhe të zv/kryeministrit e konsideroj si dashakeq dhe të tepërt – deklaroi Ratko Georgievski, drejtor i “Feroinvest”.

Sipas Georgievskit, në këtë mënyrë absolutisht nuk do të cenohet autoriteti i Angjushevit, i cili është njëri nga tre themeluesit e kompanisë. Nga Komisioni Antikorrupsion shprehen se në këtë rast nuk ekziston konflikt i interesave. Megjithatë, sipas kryetarit Igor Tanturovski, secili që është në post publik duhet doemos ta ketë parasysh edhe aspektin moral.

Unë e dëgjova deklaratën e Angjushevit, pajtohem me të se ndërmarrja duhet të vazhdojë të punojë, se atje ka më shumë se 800 persona të punësuar dhe se kjo është normale që ata të vazhdojnë të punojnë, por pjesën etike dhe morale si zv/ kryetar i qeverisë këtë duhet ta bartë vetë pronari i ndërmarrjes – tha Igor Tanturovski, KSHPK.

Sot në mbrojtje të Angjushevit doli edhe kryeministri Zaev përmes një krahasimi interesant me bizneset e tij familjare.

A do të thotë kjo se familja e Zaevit, e cila prodhon ajvar, asnjë nga institucionet shtetërore nuk duhet të konsumojë ajvar, por duhet të ketë ushqim që është parashikuar shumë shpesh edhe në mensën e përbashkët. Ndërmarrjet në Maqedoni duhet doemos të jetojnë dhe duhet të punojnë – u shpreh Zoran Zaev, kryeministër.

Tenderi për furnizimin e shiritave të gomës për nevojat e “REK Bitola”, me vlerë prej rreth 2.6 milion euro është anuluar dy herë me radhë pas ankesave të parashtruara nga pjesëmarrësit në procedurë.

Mirko Trajanovski

Shpërndaj me