Shteti edhe në vitin 2018-të do të huazojë në tregjet financiare të huaja dhe ato vendore. Qeveria në seancën e djeshme vendosi që përmes ndarjes së letrave me vlerë do të mund të marrë hua prej rreth 90 milionë euro më shumë nga shuma që duhet të kthehet gjatë vitit të ardhshëm, si rezultat i borxheve të mëparshme. Sipas buxhetit, shteti në vitin 2018-të duhet të kthejë gjithsej 370 milionë euro, prej të cilave 200 milionë euro në tregun vendor ndërsa 170 milionë jashtë vendit. Ministri i Financave Dragan Tevdovski gjatë miratimit të buxhetit në Kuvend deklaroi se në vitin 2018-të nga huamarrjet do të sigurohen gjithsej 665 milionë euro.

Krahas mbulimit të deficitit në vitin 2018, do të nevojiten 22,7 miliardë denarë për shlyerjen e borxheve të vjetra, me çka nevojat e përgjithshme për financim në vitin 2018 kapin vlerën prej 40,9 miliardë denarë. Këto mjete do të sigurohen duke kombinuar huamarrje në tregjet vendore dhe ato të huaja- kishte thënë gjatë votimit të buxhetit 2018, ministër i Financave Dragan Tevdovski.

Kjo do të thotë se nuk përjashtohet mundësia e lëshimit të eurobondit të ri. Nëse dhe kur do të ndodhë kjo, do të varet nga kushtet e tregut, më saktë nga norma e interesit që duhet ta paguajë shteti. Nëse kushtet nuk janë të volitshme, paratë e nevojshme do të sigurohen brenda në vend, para se gjithash nga bankat e biznesit. Ky skenar sipas një pjesë të biznesmenëve është i padëshiruar.

Shteti t’i mbajë duart sa më larg nga kapitali vendorë gjegjësisht nga bankat vendore, që ato të kenë mjete të mjaftueshme të lira dhe t’i plasojnë tek kompanitë- tha Menderes Kuçi, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.

Deficiti buxhetor në vitin 2018-të duhet të arrijë 296 milionë euro. Niveli i borxhit publik, përfundimisht me shtatorin është rreth 4,7 miliardë euro apo 45,8% nga Prodhimi Bruto Vendor. Para dhjetë viteve, borxhi publik ishte rreth 1,5 miliardë euro gjegjësisht në këtë periudhë është rritur trefish.

Mirko Trajanovski

Shpërndaj me